Debati mes zëvendësave Kaine dhe Pence, përplasja sërish për Trump

05/10/2016 00:00

Debati i parë i kandidatëve për zëvendëspresidentë në Shtetet e Bashkuara i përngjau të njëjtit stil sikurse ishte edhe përplasja që vuri përballë Hillary Clinton dhe Donald Trump një javë më parë.

Senatori demokrat i Virxhinias, Tim Kaine, dhe guvernatori republikan Mike Pence debatuan për një seri temash nga çështja e abortit e deri te marrëdhëniet me Rusinë.

Krahu i djathtë i ish-Sekretares së Shtetit, Tim Kaine e përshkroi Donald Trumpin si një “budalla” dhe si një “manjak bërthamor”, i cili me politikën e armëve bërthamore do të shkaktonte një ngjarje katastrofike në botë. Kaine nuk la pa përmendur edhe çështjen aq të diskutuar të miliarderit dhe taksave.

“Donald Trump e ka filluar këtë fushatë në vitin 2014. Ai ka thënë se, në qoftë se do të kandidonte për president, do të publikonte të gjitha taksat. Që këtu ai ka thyer premtimin e parë. Më pas, kur znj. Clinton e akuzoi për mospagesë të taksave, Trump tha se kjo gjë e bën atë të zgjuar. Tani ajo që ne nuk dimë është, përse ai nuk i publikon këto të dhëna?”, deklaroi Tim Kaine.

Por Mike Pence i hodhi poshtë dyshimet e demokratëve se Donald Trump nuk i ka paguar tatimet federale mbi të ardhurat për vite me radhë.

“Donald Trump ka paraqitur mbi 100 faqe të planit të tij financiar dhe ato janë në auditim nga shteti. Fundja kjo është ajo që kërkon ligji. Trump është biznesmen i zgjuar, i cili ka hapur mijëra vende pune”, tha Mike Pence.

Debati vijoi me përplasje të forta dhe shpesh u desh ndërhyrja e moderatores Elaine Quijano, në Universitetin “Longëood”, në Farmville të Virginias. Një nga momentet më të nxehta ishte kur Kaine kritikoi ashpër simpatinë e madhe të Trumpit ndaj Vladimir Putinit, por edhe ndaj Kim Jong-un, Sadam Husseinit dhe Muammar Gaddaffit.

“Nëse ju nuk e dini dallimin mes diktaturës dhe lidershipit, atëherë ju duhet të ktheheni prapë në klasë të pestë”, tha Tim Kaine.

Por 57-vjeçari Pence u shpreh se Putin do e vlerësonte Trumpin për forcën dhe thjeshtësinë e tij.

“Kjo nuk është një mbështetje për Putinin. Kjo është një akuzë e lidershipit të dobët të Hillary Clintonit dhe Barack Obamës”, tha Mike Pence.

Top Channel