Beteja e vështirë me kancerin

05/10/2016 00:00

Atë e njohim për rolet e tij komike në kinema, por historia e treguar rishtazi nga Ben Stiller flet për një betejë të vështirë, të luftuar për dy vite me radhë jashtë vëmendjes së publikut.

Në një rrëfim të gjatë në “Twitter”, aktori i famshëm zbulon se kishte vuajtur nga kanceri në prostatë dhe se një test i thjeshtë i kishte shpëtuar jetën.

“Isha me kancer dy vite më parë dhe dua të flas për këtë. Testi më shpëtoi”, shkruan 50-vjeçari, ndërsa shpjegon sesi i kishte ndryshuar jeta brenda një çasti. Më pas, në një letër të gjatë të publikuar në faqen e internetit të projektit për të mbledhur fonde kundër kancerit, ai shton:

“Me diagnostikuan një tumor në prostatë më 13 qershor të 2014-s, i cili kishte mbirë nga hiçi. Nuk e kisha aspak idenë. Në një moment të parë nuk dija se çfarë do të ndodhte, pata shumë frikë. Kërkova në Google, burra me kancer në prostatë dhe m’u shfaqën emra të tillë si John Kerry dhe Robert De Niro. Ata janë mirë tani, por lexova edhe histori të personave që nuk ia kishin dalë. U ndieva me fat pasi e zbulova në kohë tumorin”.

Pikërisht në këtë moment, aktori lëshon mesazhin e tij mbi rëndësinë e testit të gjakut të quajtur “Psa”, i cili mat sasinë e antigjenit prostatik.

“Ai test më shpëtoi jetën. Pikërisht për këtë po shkruaj tani. Nëse sot jam mirë, është pasi kisha një mjeke që më nxiti ta bëja testin. Nëse do të kisha pritur deri në 50 vjeç, siç rekomanton American Cancer Society do ta kisha zbuluar shumë vonë kancerin”.

Ylli i “Zoolander” pohon se ishte shëruar plotësisht 3 muaj pas diagnostikimit.

Top Channel