“Vetting”-u, PD e ankimon të mërkurën në Kushtetuese

04/10/2016 00:00

Një ditë para se në Parlament të votohen 6 ligjet që shoqërojnë Reformën në Drejtësi, Partia Demokratike pritet që të bëjë zyrtare nismën e saj të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, të atij që u quajt ligji më i rëndësishëm i kësaj reforme, ai i “vetting”-ut.

Burime të Top Channel tregojnë se deputetët demokratë do ta dorëzojnë nesër kërkesën e tyre.

Opozita e sheh këtë institucion si mundësinë e fundit për të rrëzuar një ligj, që sipas Partisë Demokratike i jep qeverisë kontrollin politik mbi organet që do të vendosin për pastërtinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërkombëtarët, mbështetësit dhe sponsorizuesit e ligjit të “vetting”-ut dhe reformës në tërësi kanë apeluar për zbatimin sa më të shpejtë të saj. Ata janë deklaruar kundër ankimimit në gjykatë, pasi veç të tjerash, kjo do të vështirësoje edhe vendimmarrjen e fundtetorit në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Top Channel