“Refugjati” fitues në Londër

04/10/2016 00:00

Agim Sulaj nuk e distancon veten nga drama sociale e krizës së refugjatëve. Me nervin që të jep lapsi dhe grafika bardhë e zi, ai vizatoi një valixhe, sipër së cilës solli dallgët e detit dhe njerëz në përpjekje për t’i shpëtuar “mbytjes së ëndrrave”.

Ky vizatim mori çmimin e parë në Londër, në 19 shtator nga “The Derwent Art Prize” dhe vizatimi i tij qëndroi i ekspozuar në “Mall Galleries”, mes 3000 punimeve nga 56 vendeve të botës.

“Kam pikturuar edhe veten. Luftën e njeriut për të qenë më mirë dhe për të jetuar më mirë”, thotë Sulaj.

E vlerësuar nga kritika si një punë që ka kapur imagjinatën dhe vetëdijen e publikut në të gjithë Evropën, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, Agim Sulaj rrëfen që kjo është edhe drama e tij.

“Refugjati nuk mbytet vetëm në det, por edhe në tokë. Pasi nuk gjen hapësirat e tua dhe mbytesh gradualisht”, shpjegon Sulaj.

Përballimi i një realiteti të egër, i gjendur në të shumtën e herës vetëm para telajos dhe penelave, i dha atij frymëzimin për të krijuar. Dhe në fund ai kuptoi që e gjitha kjo është thjesht një rikthim në fëmijërinë e tij.

Sot, Agim Sulaj vijon të bëjë jetën e shtegtarit mes udhëtimeve dhe çmimeve, duke mos dashur t’i ikë fatit të tij që e bën fitues, por edhe e shndërron në vuajtës. Në Tiranë ndodhet për çeljen e një ekspozite personale.

Top Channel