Shqipëria, me “bomber” rezervë të enjten. Mungojnë Sadiku dhe Manaj

04/10/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare humbet shërbimet e Armando Sadikut dhe Rey Manajt për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018, ndaj Lihtenshtajnit dhe Spanjës, më 6 dhe 9 tetor.

“Sadiku, pasi bëri skanerin, rezultoi që menisku t’i ishte gërvishtur pak dhe kjo i jep dhimbje gjatë gjithë kohës, sidomos kur lëviz gjurin nga brenda kur vrapon. Kështu që i nevojitet të bëjë operacionin, sot ose nesër, dhe do të qëndrojë thuajse një muaj jashtë fushave të blerta”, shpjegoi Alban Bushi, menaxher i skuadrës kombëtare.

Ndërsa Rey Manaj do të qëndrojë për 10 ditë jashtë fushave, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundjavës në Serie A, Pescara-Chievo. Kjo situatë bëri që Gianni De Biasi të rikthejë pas 3 vitesh në Kombëtare sulmuesin Edgar Çani, aktualisht lojtar i Pizës.

“Mendoj se Çani po kalon një formë të mirë te Piza. Ka shënuar, jo shumë si lojtarët që kemi aktualisht në kombëtare, por gjithsesi po luan mirë atje. Ka një ngritje gjatë këtij vitit të fundit, ndaj dhe unë mendoj se ka bërë mirë me këtë zgjedhje. Mendoj që konkurrenca i bën mirë sulmuesve, sepse janë më të karikuar dhe më të impenjuar në çdo stërvitje, e japin maksimumin e tyre”, shtoi më tej Alban Bushi.

Përveç dy dëmtimeve, menaxheri i kombëtares thekson se pjesa tjetër e kuqezinjve janë në formë mjaft të mirë.

“Jemi në tetor tani dhe janë pothuajse të gjithë në formë. Trajneri e ka të vështirë të zgjedhë mes lojtarëve për këto dy ndeshje, sepse të gjithë lojtarët janë shumë mirë”, përfundoi Bushi.

Top Channel