Siri, Rusia dislokon sistem mbrojtjeje antiajrore në bazën e Tartusit

04/10/2016 00:00

Rusia ka ngritur prej mbi një viti një bazë detare në qytetin portual sirian të Tartusit, por tashmë konfirmon se atje ka dërguar edhe sisteme të mbrojtjes ajrore të njohura si “S-300”.

Zëdhënësi i ministrit rus të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se qëllimi i dërgimit të këtij sistemi është garantimi i sigurisë së bazës nga ndonjë sulm i mundshëm nga ajri.

Lajmi vjen mes përshkallëzimit të tensioneve mes rusëve dhe Perëndimit, e vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara pezulluan bisedimet me Rusinë mbi përpjekjet e tyre për të koordinuar sulmet ajrore kundër grupeve xhihadiste.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Uashingtoni dhe Moska mbajti vetëm një javë e më pas u shkel gjatë fundit të muajit të kaluar.

“Më lejoni t’iu kujtoj se sistemi S-300 është një sistem me qëllime tërësisht mbrojtëse, ndaj dhe nuk përbën asnjë kërcënim për askënd”, tha gjeneral-major Konashenkov. “Mbetet e paqartë se, përse dërgimi i një sistemi të tillë atje shkaktoi një alarm kaq të madh mes partnerëve tanë perëndimorë”, vijoi ai.

Zëdhënësi theksoi më pas se sistemi në fjalë ishte i ngjashëm me atë të dërguar në det, mbi anijen “cruizer” me emrin “Moskva”. Media amerikane “Fox News” kishte raportuar më herët, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan të ketë thënë se, sistemi është dislokuar përgjatë fundjavës.

Top Channel