OSHEE, 20 milionë dollarë investim për cilësinë e shërbimit

04/10/2016 00:00

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela, gjatë përurimit të shërbimit të ri të kujdesit ndaj klientit në qytetin e Shkodrës, e përzgjedhur mes 14 qendrave të kujdesit ndaj klientit ku po zbatohet projekti “Sistemi i menaxhimit”, theksoi se ky projekt do të zbatohet në të gjithë vendin për modernizimin e të gjitha qendrave të kujdesit ndaj klientit, ndërsa deri në vitin 2017 do të investohen 20 milionë dollarë në përmisimin e cilësisë së shërbimit në gjithë rajonin.

“Falë investimit të OSHEE-së prej 55 milionë lekësh, me anë të këtij sistemi modern elektronik, kompania monitoron me kamera dhe asiston në çdo hap/procedurë trajtimin e klientëve, që nga momenti i paraqitjes në KNK, deri në mbyllje të ciklit”, u shpreh administratori i OSHEE, Adrian Çela.

Në lidhje me investimet e tjera që po kryen kompania në rajonin e Shkodrës, ku përfshihet edhe Lezha, administratori i OSHEE-së u shpreh se janë investuar dhe miratuar projekte me vlerë 10 milionë dollarë.

“Në qytetin e Shkodrës kemi ndërtuar fidrin unazor që jep garanci maksimale për furnizim pa ndërprerje të energjisë për Spitalin”, tha administratori Çela.

“Bashkë me parashikimet e vitit 2017, totali i investimeve arrin 20 milionë dollarë, si kurrë më parë në këto 25 vjet”, deklaroi Çela.

Top Channel