Disiplina rikthen tifozët e Korabit, paralajmëron Flamurtarin

04/10/2016 00:00

Tifozët dibranë tashmë mund të ndjekin nga afër ndeshjet e skuadrës së tyre. Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e radhës pranoi kërkesën e Korabit, duke pezulluar pikën 8 të vendimit nr 16 të dhënë më datë 11.05.2016 nga ky komision. Duke filluar që nga takimi i radhës ndaj Tiranës, Korabi ndeshjet si skuadër pritëse do t’i zhvillojë me tifozë.

Një lajm i shkëlqyer ky për fansat dibranë të cilët tashmë mund të mbështesin nga shkallët e stadiumit ekipin e tyre të zemrës edhe në Kategorinë Superiore. Megjithatë pranimi i kërkesës së klubit të Korabit nga Komisioni i Disiplinës është me kusht sepse në rast të përsëritjes së çfarëdo lloj incidenti, pa përjashtuar vendimet e tjera eventuale, fillon ekzekutimi i vendimit të pezulluar.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka pranuar gjithashtu kërkesën e lojtarëve Polizoi Arbri, Artan Sakaj dhe Franc Veliu duke detyruar klubin e futbollit Flamurtari të ekzekutojë vendimet përkatëse të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve brenda 30 ditëve, pra të shlyejë pagesat e prapambetura ndaj këtyre tre futbollistëve.

Në rast se kjo nuk ndodh brenda këtij afati, Flamurtari paralajmërohet me zbritje pikësh nga klasifikimi në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive.

Në mbledhjen e fundit Komisioni i Disiplinës ka dënuar klubin e Kukësit me një ndeshje pa tifozë. Luftëtari për sjellje të gabuar të spektatorëve është dënuar me 100 mijë lek gjobë, ndërsa zyrtari i Korabit Erion Hamiti me 8 ndeshje skualifikim për sjellje të jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në sfidën ndaj Teutës.

Për protestat ndaj vendimeve të arbitrit trajneri i Dianmos, Igli Allmuca, ndërkohë është dënuar me 2 ndeshje pezullim.

Top Channel