Uruguaji, gati për sfidat e radhës

04/10/2016 00:00

Uruguaji ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës së eliminatoreve të Botërorit 2018 me Venezuelën që do të luajë në Montevideo në 6 tetor. Skuadra uruguajane vjen në këtë përballje si skuadra kryesuese e zonës së Amerikës Latine të kualifikueseve, ndërsa Venezuela vjen si ekipi i vendit të fundit.

Megjithatë trajneri Oskar Tabarez kërkon që futbollistët e tij të mos jenë të vetëkënaqur dhe se sfida me Venezuelën do të jetë e vështirë.

“Kur i afrohesh fundit të fazës kualifikuese, sfidat bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Përsa i përket Venezuelës, do të jetë një kundërshtar i vështirë. Ka pasur ndryshime në pankinë, por tani gjërat duket se janë stabilizuar. Nuk bëri paraqitje të mirë në Copa America, por ai aktivitet duket se ishte më shumë një test për të”, tha Tabarez.

Luis Suarez dhe Edinson Cavani do të tentojnë që ndaj Venezuelës të shënojnë sërish siç bënë edhe ndaj Paraguajit sfidë të cilën Uruguaji e nisi 4-0, ndërkohë që për mbrojtjen Godin do të jetë sërish në dispozicion të Tabarez.
 
Futbollisti i Atletiko Madrid që mungoi ndaj Brazilit dhe Perusë duket se është riaftësuar nga dëmtimi muskular dhe ndihet gati për këtë përballje.

Pas asaj së 6 tetorit, Uruguaji do të luajë në 11 tetor ndaj Kolumbisë, ndërsa Venezuela do të luajë ndaj Brazilit.

Top Channel