Ideja e re e Infantinos: Një Botëror me 48 skuadra

04/10/2016 00:00

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino këmbëngul në idenë e tij për rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në kampionatet botërore. Këtë radhë kreu i qeverisë së futbollit botëror po mendon që ta çojë në 48 numrin e ekipeve në fazën finale të një Kupe Bote dhe jo 40 sa ishte ne propozimin e mëparshëm.

“Për momentin është vetëm një ide, por sa më shumë skuadra në Botëror, më shumë vende do të jenë të lumtur”, deklaroi Infantino gjatë një eventi të FIFA-s të zhvilluar në Bogota të Kolumbisë.

Ideja e presidentit të FIFA për formatin e ri të Kupës së Botës është që 16 skuadra të kualifikohen direkt, të cilave do t’u bashkohen ekipet më të mira të fazës kualifikuese, ndërkohë që 32 ekipe të tjera do të përballen me njëra-tjetrën në fazën e “play-off”-it.

Formati i ri i propozuar nga Infantino parashikon vetëm shtimin e një raundi më vete me ndeshje direkte që do të luhen përpara nisjes se fazës kualifikuese që gjithsesi do të preken nga ndryshimet.

“Duam që të zhvillojmë futbollin. Kupa e Botës është ngjarja më e madhe. Është më shumë se një kompeticion, ështyë një event social”, deklaroi Infantino.

Propozimi i Infantinos do të jetë i vlefshëm për Botërorin e vitit 2026 dhe do të diskutohet në Zyrih në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s që do të mbahet javën e ardhshme, ndërkohë që vendimi përfundimtar pritet të merret brenda vitit 2017.

Top Channel