Lu: Koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar

04/10/2016 00:00

Ambasadori Donald Lu paralajmëroi dhjetë magjistratët e rinj se prej tyre, tani që reforma në drejtësi nis zbatimin, pritet shumë nga shqiptarët.

“Ata duan të besojnë se brezi juaj do ta përdorë këtë mundësi të çmuar të Reformës në Drejtësi për të siguruar që të gjithë njerëzit, fajtorë dhe të pafajshëm, do të trajtohen me respekt në këtë shoqëri”, tha Lu.

Për kryediplomatin amerikan, më shumë sesa çështje drejtësie, është drejtimi që duhet të marrë vendi.

“Shqiptarët duhet të mbushen me shpresë se brezi juaj do të jetë brezi që do të rikthejë shpresën dhe besimin se do të ketë drejtësi për të gjithë”, theksoi ambasadori Lu.

Për kryeprokurorin Adriatik Llalla, drejtësia në radhë të parë duhet të pastrojë veten: “Korpusi kushtetues dhe legjislacioni që u miratua dhe do të miratohet ka për qëllim të forcojë sistemin e drejtësisë në vend, të luftojë kurropsionin në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mbi të gjitha të japë drejtësi të plotë për qytetarët”.

Dhe në këtë pikë, për herë të parë pas shumë kohësh, kryeprokurori dhe ambasadori amerikan kishin një qëndrim të përbashkët: “Koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar, sot është dita juaj”.

Top Channel