Reforma në drejtësi, Vasili: Për 6 ligjet, konsensusi do të ishte i mirëpritur

04/10/2016 00:00

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se për 6 ligjet e reformës në drejtësi do të ishte i mirëpritur konsensusi.

“Sigurisht, konsensusi do të ishte i mirëpritur, pasi ligjet në themelin e tyre interpretojnë ato dispozita kushtetuese, të cilat u ndryshuan. Pra, amendamentet kushtetuese të cilat janë jo pak siç është e njohur gjerësisht, është votuar me një konsensus të gjerë. Ose më mirë të themi me një konsensus të plotë, siç e kujtoni mesnatën e 21-22 korrikut. Edhe fryma e ligjeve është pikërisht për të zbërthyer instrumentet që i bëjnë këto ndryshime kushtetuese të zbatueshme. Për mua është për t’u vlerësuar që u arrit konsensusi për një ligj relativisht delikat siç është ai për Prokurorinë Speciale dhe Byronë e Hetimit, pasi siç dihet është një instrument i përzgjedhur në luftën kundër korrupsionit dhe çështje të tjera që i takojnë fushës së tij, dhe besoj që reforma në këtë pikë ka dhënë një përgjigje të rëndësishme dhe të gjithëpranuar politikisht”, tha Vasili.

“Ky është padiskutim një lajm i mirë dhe një arritje pozitive. Dhe jemi pro që konsensusi është plotësisht i mundshëm. Në qoftë se ecet me një frymë mirëkuptimi, pasi besoj se ky ishte një nga ligjet më të vështira si një praktikë e re në Shqipëri. Janë institucione që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë, institucione krejtësisht të reja. Dhe në këtë pikë besojë dhe mendoj që gjithmonë ka hapësira për mirëkuptim. Por megjithatë themelore është që kemi një paketë e cila përmbyll paketën e 7 ligjeve prioritare, pasi siç ju e dini ka edhe ligje të tjera që do të shoqërojnë reformën, por sigurisht nuk janë të kësaj peshe të jashtëzakonshme që kanë këta 7 ligje, dhe në fund të fundit përmbyllin këtë etapë të rëndësishme. Dhe sigurisht pas miratimit të tyre kemi instrumentet e duhur që reforma të fillojë të zbatohet konkretisht. Ky është edhe opinioni. Sigurisht, është për t’u përshëndetur dhe në pikëpamje politike, por edhe në pikëpamje praktike, miratimi me konsensus i Prokurorisë Speciale dhe Byrosë së Hetimit. Është besoj një finish i rëndësishëm në këtë ligj që u arrit me mirëkuptim të gjerë”, shtoi Vasili.

Top Channel