Turqi, policia bastis zyrat e televizionit. Ndërpret transmetimin pas dekretit

04/10/2016 00:00

Policia turke bastisi zyrat e stacionit televiziv “IMC TV” dhe i ndërpreu transmetimin me akuzën e përhapjes së “propagandës terroriste”.

Në ambientet e televizionit të mësyrë ndodheshin dhjetëra gazetarë e punonjës të tjerë. Të gjithë ata kanë parë të pafuqishëm sesi u boshatiseshin zyrat. Veprimi policor erdhi vetëm një ditë pasi Turqia e zgjati gjendjen e jashtëzakonshme me 3 muaj të tjerë.

“IMC”-ja me seli në Stamboll ia kushton pjesën më të madhe të mbulimit mediatik rebelimit në juglindjen me shumicë kurde të vendit. Ajo është një ndër 20 televizionet dhe stacionet radiofonike të drejtuara nga kurdët apo minoriteti fetar alavit, aktiviteti i të cilave u ndalua javën që shkoi me dekret qeveritar.

Që prej tentativës së dështuar të grushtit të shtetit më 15 korrik, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka marrë masa të paprecendenta për pastrimin e institucioneve shtetërore nga elementët e konsideruar jobesnikë apo armiq potencialë.

Plot 100 mijë vetë në ushtri, gjyqësor, polici e universitete janë pushuar apo pezulluar nga puna. 32 mijë vetë kanë përfunduar në pranga, ndërsa vala më e fundit e shkarkimeve ka prekur 13 mijë efektivë të dyshuar për lidhje me klerikun mysliman Fethullah Gulen.

Top Channel