Turqi, spastrimi i shtetit vijon me 13 mijë oficerë të lartë policie

04/10/2016 00:00

Turqia pezulloi nga detyra rreth 13 mijë oficerë policie, që dyshohen se kanë lidhje me klerikun mysliman Fethullah Gulen. Kjo shifër i shtohet numrit të përgjithshëm prej 100 mijë nëpunësish publikë, që u shkarkuan apo pezulluan pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik.

Mësohet se, më shumë se 2.500 prej policëve të pezulluar të martën janë shefa policie dhe zyrtarë me grada të larta. Pezullimi i mijëra policëve vjen vetëm pak orë, pasi Turqia lajmëroi se gjendja e emergjencës në vend mund të zgjatet edhe me 3 muaj, pas skadimit më 19 tetor.

Gjendja e emergjencës i mundëson presidentit dhe qeverisë që të sundojnë me dekrete, duke anashkaluar Parlamentin për ligjet e reja, që mund të përdoren për të kufizuar të drejta apo liri të ndryshme.

Kritikët e Erdoganit thonë se, në një vend ku pavarësia e Gjyqësorit është fantazi, situata po shfrytëzohet për të eliminuar kundërshtarët e regjimit, kanë apo jo lidhje me grushtin e dështuar të shtetit.

Vet shtrirja e arrestimeve, shkarkimeve apo pezullimeve, që nga mësuesit, ushtarët, policët, gjykatësit, pilotët dhe gazetarët, tregon se qeveria e Erdoganit po e përdor më së miri gjendjen e emergjencës. Në disa zona lindore të vendit, ku shumica e popullsisë është kurde, janë arrestuar kaq shumë mësues, saqë dhjetëra shkolla janë mbyllur. Vetëm në qytetin Diyarbakir janë pezulluar nga puna 4.000 mësues.

Top Channel