Kokainë në mes të Tiranës; 3 në pranga. Policia qëllon në ajër

04/10/2016 00:00

Policia e Tiranës, gjatë një operacioni antidrogë, arrestoi tre të rinj dhe u sekuestroi 700 gramë kokainë. Gjatë këtij aksioni, policisë i duhej të kryente qitje në ajër me armë zjarri për shkak se hasi rezistencë nga tre të rinjtë.

Edhe të arrestuarit ishin të armatosur. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre u sekuestrua, përveç kokainës, edhe një pistoletë e llojit TT. Aksioni i koduar “Telefonata e fundit” u finalizua mesditën e së martës në rrugën “5 maji” në Tiranë. Tre të rinjtë ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip Ford kur u rrethuan nga policia. Ata bënë rezistencë dhe njëri prej tyre, Sokol Geci, nxori armën nga makina, duke detyruar policinë të qëllojë në ajër për ta paralajmëruar.

Dy të tjerët u përpoqën t’i iknin mbulimit policor, por pa rezultat. Forcat policore i kanë neutralizuar brenda pak çastesh. Të ndaluarit janë: Sokol Geci (20 vjeç), Eraldo Dodaj (19 vjeç) dhe Pashk Teska (20 vjeç).
 
Policia sqaroi se, për të tre të rinjtë kishte informacione të mbledhura në rrugë operative se trafikonin kokainë. Ata ishin mbajtur nën vëzhgimin e forcave operacionale prej disa ditësh, si dhe iu përgjuan telefonatat. Ata akuzohen për trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë.

Top Channel