CAS redukton dënimin Sharapovës

04/10/2016 00:00

Disa e quajnë “Sugarpova” e disa të tjerë bëjnë ironi me përfundimin e pritshëm të dënimit me togfjalëshin që i përngjan emrit të saj, por ndërkohë Maria Sharapova merr më në fund një lajm të mirë pas javësh të tëra përbaltje dhe akuzash për doping.

Tenistja simpatike ruse u dënua me dy vjet përjashtim për përdorim të substancave të ndaluara, por apeli në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv i përgjysmon pezullimin.
29-vjeçarja që ndan karrierën mes sportit dhe modës, doli pozitive me hormonin e meldonium në janar, dhe pavarësisht shfajësimeve për arsyet e dopingut, ajo u dënua nga federata.

Por këtë herë në ndihmë të tenistes elitare ka ardhur CAS, e njëjta gjykatë që vendosi drejtësi për kombëtaren shqiptare të futbollit në dhunën e Beogradit.
Maria Sharapova do të vuajë vetëm 15 muaj dënim nga 24 që ishin parashikuar në total, dhe me ezaurimin e një periudhe të mirë që nga analizat, llogaritë tani e nxjerrin në fushë në prill të vitit që vjen.

Meldonium u bë një substancë e ndaluar më 1 janar të këtij viti, por sportistja ruse e kishte neglizhuar rregulloren e përditësuar. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka një historik të pezullimeve të reduktuara për sportistët, si në rastin e Marin Cilic apo Viktor Troicki.

Top Channel