Dështimi ruso-amerikan, Europa “përvesh mëngët” për Sirinë

04/10/2016 00:00

Europa po përpiqet të thotë fjalën e saj në konfliktin sirian, pasi SHBA-të dhe Rusia nuk ia dolën që të garantonin as një armëpushim që e negociuan vet.

Franca dhe Spanja po përpiqen të arrijnë një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit, për një rezolutë që kërkon sërish një armëpushim në Aleppo, pasi Shtetet e Bashkuara i dhanë fund bisedimeve me Sirinë.

Teksti i hartuar nga Parisi dhe Madridi kërkon që armëpushimi të monitorohet nga OKB-ja, ndalimin e plotë të luftimeve në Aleppo dhe mbi të gjitha ndalimin e çdo lloj fluturimi ushtarak mbi të.

Rezoluta e propozuar nga francezët dhe spanjollët parashikon që, kushdo që nuk i bindet armëpushimit do të përballet me masa të mëtejshme, të cilat ende nuk janë specifikuar.

Qyteti i rrethuar i Aleppos vazhdon të bombardohet ashpër nga forcat siriane dhe ruse, që nuk bëjnë asnjë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve të armatosur. Bombardimi i Aleppos është krahasuar me atë të Dresdenit në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj dhe ekspertët thonë se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk mund të ndalojë katastrofën njerëzore aty, as që mund të flitet për paqe në të gjithë Sirinë.

Por propozimi franko-spanjoll, që shihet si ndërhyrje e vonuar europiane, është pritur me dyshime nga Rusia. Sipas Moskës, ndalimi i fluturimeve mbi qytet nuk do të sjellë paqe. Në kuadër të propozmit të ri, përfaqësuesi i përhershëm i Francës në OKB, Francois Delattre tha se duhet bërë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund tragjedisë në Aleppo.

Analistët thonë se, pavarësisht qëllimit të mirë të rezolutës franko-spanjolle, që ajo të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, duhet edhe vota ruse, diçka që aktualisht nuk është aspak e lehtë, duke qenë se Moska akuzohet nga Perëndimi se ka përkeqësuar gjendjen në këtë qytet sirian.

Ndërkohë në Aleppo raportohet se kanë mbetur vetëm 5 spitale dhe 29 mjekë për t’u kujdesur për 300 mijë civilë të rrethuar, mes të cilëve mbi 85 mijë fëmijë.

Top Channel