Kosovë, Veseli nënshkruan memorandum bashkëpunimi me investitorin amerikan

04/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka nënshkruar gjatë së martës një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë amerikane “Stone Alliance”, e cila do të investojë në Kosovë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe udhëheqësi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Kryeparlamentari Veseli tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-ve po kalon në një etapë të re, e cila po i hap rrugë perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë.

“Sot në rrethanat e lirisë, suksesi është për ata njerëz që arrijnë të krijojnë vende pune. Ardhja e një kompanie të tille amerikane dhe punësimi i 2.500 njerëzve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ky është një orientim i qartë properëndimor”, tha Veseli.

Sipas tij, përmes kësaj kompanie do të dërgohet mesazh edhe te investitorët e tjerë, për të investuar në Kosovë.

Edhe ambasadori amerikan e kreu i kompanisë “Stone Alliance” e falënderuan kryeparlamentarin Veseli për ofrimin e bashëpunimit, ndërsa premtuan sjelljen të investitorëve të tjerë amerikanë në Kosovë.

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është historike, sepse Kosova ka nevojë për shembuj të tillë.

“Dy vitet e fundit kemi pasur interesim nga kompanitë amerikane për të investuar në Kosovë. Po shohim një perspektivë më të mirë për kompanitë amerikane për të investuar në Kosovë. Shpresoj që të shohim më shpesh ngjarje të tilla”, tha Zeka.

Top Channel