PD: Mamografia vonohet qëllimisht

04/10/2016 00:00

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, por demokratja Albana Vokshi thotë se në Spitalin Onkologjik në Tiranë aparati i mamografise nuk funksionon.

Por sipas saj, ky nuk është problemi i vetëm me shërbimin e mamografise në të gjithë vendin. 

“Historitë e vizitave në njësitë e mamografive të lëvizshme janë kthyer në përralla, pasi përgjigjia e analizave nuk vjen kurrë. Tallje e paprecedent kjo e Ramës dhe Beqajt me gratë dhe vajzat shqiptare të cilat në pritje të përgjigjes që nuk mbërrin kurrë mund edhe të jenë përkeqësuar apo edhe mund të kenë humbur edhe jetën”, deklaroi Vokshi.

Sipas Albana Vokshit ka një shpjegim përse vajzat dhe gratë nuk marrin përgjigjjen e mamografisë.

“Epidemia e koncensioneve alla “check-up” pritet të prekë edhe këtë shërbim. Cdo grua që ka bërë mamografinë është e destinuar të presë dëshpërimisht mbase në rastet më fatkeqe edhe të humbë jetën…derisa Beqaj të mbyllë pazarin e rradhës për leximin e mamografive…Vjedhja e radhës me sloganin “Paratë e Shëndetësisë për Partneritetin e Partisë” po firmoset në zyrën e Beqajt për tu lancuar si “propaganda e tetorit” kundër kancerit të gjirit”, u shpreh deputetja demokrate.

Partia Demokratike i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për mashtrimin e mijra grave që, sipas opozitës, kanë bërë mamografinë, por nuk kanë marrë analizat prej një viti.

Top Channel