Thaçi dekoron Dritan Hoxhën me medaljen për Inovacionin: Theu kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë

04/10/2016 00:00

Themeluesi i Top Channel dhe Digitalb, Dritan Hoxha dekorohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës gjatë vizitës së parë zyrtare të tij në Tiranë. Hashim Thaçi tha se ndihej i privilegjuar se kishte njohur Tanin si mik, si njeri dhe si inovator, që para ushtrive dhe të gjithëve, falë gjenialitetit të tij kishte thyer i pari kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“E nderuara Vjollca! Për mua është një kënaqësi e veçantë si President i Republikës së Kosovës dhe si mik i Tanit, që sot në emër të institucioneve dhe qytetatëve të Republikës së Kosovës të ndaj medaljen e Presidentit të Republikës së Kosovës për kontributin e jashtëzakonshëm të Dritanit në revolucionarizimin e medias shqiptare”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Pas një rruge që mban emrin e tij në Prishtinë, kontributi i paçmuar i Dritan Hoxhës në thyerjen e kufijve mes shqiptarëve u vlerësua nga Presidenti i Kosovës me çmimin për Inovacion, Kërkime dhe Zhvillim. Dekorata i akordohet personave me rezultate të jashtëzakonshme në fushat e dijes, zhvillimit dhe teknologjisë.
 
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidenti Thaçi ia dorëzoi dekoratën presidentes së kompanisë dhe bashkëshortes znj. Vjollca Hoxha, gjatë vizitës së tij në “Top Media”.

“Arriti gjëra që as ushtritë e as politika nuk mundën të arrijnë. Bëri që t’i hapë kufijtë, t’i thyejë kufijtë dhe zëri i tij të depërtojë kudo, ideja e tij të depërtojë në çdo hapësirë shqiptare në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje, familje. Prandaj Kosova e vlerëson lart punën e Dritanit, e respekton angazhimin e tij maksimal. Ne ndihemi mirë dhe shumë krenarë që e kemi njohur, edhe unë personalisht, dhe natyrisht që ndihem shumë i privilegjuar që si President i Republikës së Kosovës, sot kam kënaqësinë që të ndaj këtë mirënjohje në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Çmimi, që i akordohet sot nga Republika e Kosovës, është vlerësimi për dashurinë që Tani kishte për Kosovën, një pasion që u pasqyrua në valët e Top Channel në kohët kur Kosovës i duhej më shumë mbështetja nga Shqipëria.

Në vitet e vështira, kur Kosova po bëhej e pavarur, dhe më pas në proceset më të rëndësishme të shtetndërtimit. Me Top Channel, muri mes shqiptarëve në Ballkan u rrëzua, e për herë të parë duke lidhur me lajme, filma dhe emisione shqip, çdo familje shqiptare që kishte jetuar në ish-Jugosllavi dhe diasporë.

Top Channel