Legalizimet, Lame: Brenda mandatit mbyllet në qendrat e mëdha

04/10/2016 00:00

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi se brenda këtij mandati qeverisës  do të mbyllet procesi i legalizimeve në zonat më të mëdha informale rreth qyteteve.

“Deri në fund të këtij mandati, do të përmbyllen legalizimet në zonat informale përreth qyteteve. Pra për të lënë për mandatin tjetër pjesën e vogël të ndërtimeve që mbeten brenda qyteteve”, deklaron Lame.

Drejtori i ALUIZNI-t deklaroi se sfide tani mbetet urbanizimi i zonave informale që janë legalizuar.

“Si do të urbanizohen këto zona, infrastruktura rrugore, ujësjellësi, elektriku, hapësirat e përbashkëta, shkolla e kopështe e kështu me radhë”, tha ai.

Lame raportoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se janë 320 mijë vetëdeklarime, nga të cilat për 88 mijë është dhënë leja e legalizmit. Mjaft objekte janë në zona të ndaluara, për të cilat do studiohen zgjidhjet.

“Janë ndërmarrë deri më tani disa nisma nga Qeveria për zhvendosjen dhe dëmshpërblimin e tyre. Janë disa skema që duhet të kolaudohen”, deklaroi Lame.

Sipas ALUIZNI-t, përfitues të procesit në zonat informale janë 300 mijë famlije me një numër prej 218 mijë objektesh të ndërtuara pa leje.

Top Channel