Vrasja e dyfishtë në Shkodër, arrestohet autori

04/10/2016 00:00

Miklovan Parubi, autori i vrasjes së dyfishtë është arrestuar nga policia pranë banesës së tij. Thuhet se policia u njoftua në rrugë operative për vendndodhjen, ndërsa më herët për kapjen e tij u vu edhe një shpërblim prej 500 mijë lekësh.

Pas ngjarjes së mbrëmjes së kaluar, forcat e policisë së Shkodrës, Ndërhyrja e Shpejtë dhe RENEA nisën kërkimet në gjithë zonën e nënshkodrës për të kapur vrasësin, i cili ishte i armatosur dhe cilësohej i rrezikshëm.

Ndërkohë forcat e FNSH-së, Policia Kriminale dhe një grup i RENEA-s që mbrëmë kanë krehur gjithë zonën. Gjithashtu dhe akset kryesore në hyrje dhe dalje të fshatit janë mbajtur nën kontrollin e postblloqeve të policisë deri sa u bë e mundur kapja  e autorit.

Forca të shumta policie që mbanin të rrethuar gjithë zonën në kërkim të autorit dhe njerëz të shumtë që shkojnë për ngushëllim tek familjet e viktimave, kjo ishte pamja sot paradite në fshatin Dajç një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku një lojë pokeri mes shokësh përfundoi me dy të vrarë e katër të plagosur.

Ndërsa familjet e viktimave kanë hapur dyert e mortit banorët e zonës shprehen të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.

Ndërkohë, forcat e policisë janë duke mbajtur nën vëzhgim banesën e autorit të ngjarjes nga frika e ndonjë përshkallëzimi të konfliktit mes familjeve.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel