Meta i uron mirëseardhjen ambasadorit të ri polak

04/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti këtë të martë Ambasadorin e ri të Polonisë në Tiranë, Karol Bachura, të cilit i uroi mirëseardhjen në vendin tonë.

Meta vlerësoi marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve tona dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë në procesin e integrimit europian të vendit tonë.

Në këtë drejtim Meta theksoi se marrëdhëniet ndërparlamentare mes dy vendeve janë shumë të rëndësishme, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Meta nënvizoi gjithashtu se Polonia është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë në BE dhe Kuvendi do të mbështesë intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e turizmit, transportit dhe bujqësisë.

Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Shqipëri dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Polonisë në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Gjithashtu, Ambasadori Bachura vuri në dukje se Shqipëria po behët gjithnjë e më shumë një destinacion popullor turistik në Poloni dhe në këtë kuadër do të punohet për rritjen e fluksit të linjave të transportit mes dy vendeve tona.

Top Channel