Veliaj prezanton urdhëresën për hapësirat publike

04/10/2016 00:00

Rregullat për menaxhimin e hapësirave publike në kryeqytet do të ndryshojnë. Bashkia e Tiranës do të nisë kufijëzimin e trotuareve për t’u dhënë qytetarëve më shumë hapësira publike.

Të martën kreu i Bashkisë së Tiranës mblodhi të gjithë ndërlidhësit në njësitë administrative, të cilëve u kërkoi që të njoftojnë komunitetin e në veçanti ata që kanë aktivitet tregtar dhe shfrytëzojnë trotuaret.

“Shitësit e fruta-perimeve, librashitësit do të jetë dizajni i ri i pikës së shitjes. Brenda këtij viti do të propozojmë dizajnet e karrocave të ambulanteve, që jo cdo lloj teneqeje të fluturojë nëpër qytet, do të caktojmë dhe vendet. Patjetër që do të ndihmojë ata njerëz që jetojnë me djersën e tyre. Po sigurisht dhe të ndalojmë shitjen e rrobës në rrugë. Nuk është higjenike, nuk është mesjetë”, tha Veliaj. 

Por si do të zbatohet rregulli i ri? Kufiri i lejueshëm për t’u shfytëzuar nga ambulantët apo tregtarët, do të kufizohet nga një vijë ose një pllakë me bojë nga Bashkia. Hapësira e lejuar do të caktohet në varësi të gjerësisë së trotuarit, ndërsa tarifat e shfrytëzimit për hapësiren publike nuk do të ndryshojnë. Shenjimi i trotuareve do të nisë brenda këtij viti.

Ky aksion, që synon estetikën urbane do të prekë edhe mënyrën sesi do të shiten produktet.

Top Channel