Basha pret Thaçin, bisedojnë për sfidat e dy shteteve

04/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në njoftimin e shpërndarë nga Partia Demokratike thuhet se në këtë takim presidenti Thaçi i shprehu mirënjohjen Bashës për kontributet e padiskutueshme në mbështetje të Kosovës në të gjitha momentet e rëndësishme dhe jetike të saj dhe veçanërisht për kontributin e dhënë në realizimin e “Rrugës së Kombit”.

Duke bërë një paraqitje të sfidave me të cilat përballet sot Kosova,  presidenti Thaçi shprehu besimin se si në të shkuarën ashtu dhe sot në opozitë, por sidomos nesër në qeverisje do të ketë mbështetjen e PD dhe personalisht të kryetarit Basha, në përmbushjen e këtyre sfidave.

Si Basha, ashtu edhe Thaçi ndanë domosdoshmërinë për më shumë mbështetje dhe aktivizim të përqendruar të diplomacisë shqiptare në ndihmë të Kosovës, në procesin e njohjeve nga vende që ende se kanë bërë atë dhe sidomos të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në takim, Basha shprehu shqetësimin pasi sipas tij ka një aktivizim jo të mjaftueshëm të  diplomacisë së Tiranës në raport me nevojat e Kosovës në fushën e aktivitetit diplomatik dhe theksoi se PD do të angazhohet për të nxitur rritjen e energjive dhe në qartësimin e sjelljeve diplomatike në raport me Kosovën e proceset ndërkombëtare që ajo përballet.

Një vend të veçantë në takim zuri dhe situata në Luginën e Preshevës.

Top Channel