Top Story, a e meriton Rama një mandat të dytë?

03/10/2016 00:00

Me miratimin e ligjit të importit të mbetjeve, Qeveria shkaktoi një reagim të publikut dhe shoqërisë civile. Kjo e fundit doli në protestë të shtunën kundër këtij ligji dhe kërkon nga Qeveria që ta anulojë atë.

Por Kryeministri Rama thotë se ligji i shërben edhe një mjedisi më të pastër në Shqipëri dhe deklaron se nuk do të tërhiqet prej tij. Rama pranoi përmes rrjeteve sociale se vetëm gabimin se qytetarët dhe ambientalistët nuk u informuan siç duhet dhe në kohë për këtë ligj.

Ndërmarrja e këtij ligji, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme është një hap i guximshëm. Por sa do të ndikojë ky ligj në votën e qershorit të ardhshëm? Sa do të ndikojnë reformat e tjera të ndërmarra nga kjo Qeveri dhe a i duhet dhënë një mandat i dytë asaj?

Për këto dhe të tjera çështje të aktualitetit politike, diskutuan këtë të hënë në Top Story analistët Mustafa Nano, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Skënder Minxhozi, Ageron Gjekmarkaj dhe Henri Çili.

I pari që mori fjalën ishte analisti Henri Çili. Ai tha se kjo Qeveri ka ndërmarrë disa reformë të rëndësishme duke cekur probleme të mëdha të tranzicionit shqiptar.

“Ka ndërmarrë disa reforma të guximshme që nuk janë ndërmarrë nga qeveritë e mëparshme. Është reforma në energjitikë, ajo territoriale, reforma në drejtësi, arsimi e të tjera. Për të gjitha këto reforma, unë mendoj që kësaj Qeverie i duhet dhënë edhe një mandat tjetër”, deklaroi ai.

Skënder Minxhozi nënvizoi dy reforma kryesore të kësaj maxhorance.

“Me reformën në drejtësi dhe atë territoriale, kjo Qeveri mund ta konsiderojë të përmbyllur misionin e saj”, tha ai.

Minxhozi u shpreh se ka segmente të ekzekutivit që duken të lodhura dhe hera-herës, kryeministri shfaqet arrogant.

Avokati Spartak Ngjela tha se problemi kryesor i Edi Ramës është se nuk arriti të kuptojë dallimin mes rilindjes dhe reformës.

“Ne nuk kemi nevojë për rilindje, por për reformë. Ishin minimumi 3 reforma të mëdha, një në arsim, që nuk e bëri dot të plotë, reforma në treg, që s’e nisi fare, as në sistemin bankar, as në çështjen e bursës, që ndjehet sot si zbehje e ekonomisë. E treta, tek reforma në drejtësi kam një rezervë. Ajo është një reformë shqiptaro-amerikane dhe nuk është e Ramës”, tha Ngjela.

Sipas tij, reforma nuk është dashur nga 70 përqind e klasës politike që ndodhet në Parlament.
 
“Një gjë është e sigurtë, 70 përqind e kësaj klase politike nuk është më në Parlament në zgjedhjet e ardhshme, ndaj këta e shtyjnë reformën, me shpresën që të jenë në Parlament sërish’, tha ai.

Preç Zogaj tha se kjo qeveri duhet të gjykohet në bazë të premtimeve elektorale të mbajtura. Ai u shpreh se Kryeministri Rama ka prirje diktatori, por ndalimi që i bën sistemi shndërron këtë prirje në arrogancë.

Zogaj kritikoi edhe reformën territoriale.

“Reforma territoriale është një vizatim në hartë kot përsa kohë që nuk është shoqëruar me reformën për decentralizimin fiskal. Reforma në drejtësi është arritje e madhe, por do të ishte e pandershme t’i atribuohej një kryeministri që e ka bërë reformën e vet, por ja rrëzoi Venecia si antikushtetuese”, tha ai.

Edhe analisti Gjekmarkaj ndau kontributin e dhënë në reformën në drejtësi. Ai vlerësoi se ajo është reforma më e mirë e bërë deri më tani.  

“Reforma në drejtësi është reforma më e mirë e bërë deri më tani, të paktën në letër. Në këtë reformë, Rama ka 1/4 të meritës”, tha ai.
 
Lidhur me Qeverinë: “Kjo është një Qeveri që nuk ka asnjë lidhje me qytetarët. Është e kapur nga oligarkët dhe kjo qeveri nuk ka asnjë lidhje me të majtën”, u shpreh Gjekmarkaj.

Pjesa e tretë nisi me të vetmen pyetje, a meriton Kryeministri Rama një mandat të dytë?

Avokati Spartak Ngjela e sheh më gjerë këtë çështje.

“Puna është a ka kundërshtar që ta rrëzojë Ramën? Nuk ka kundërshtar. Opozita sot është pa ide, është sindikaliste, dalin tani për mbetjet urbane, ndërkohë që janë të djathtë”, tha ai.

Mustafa Nano tha se Rama nuk i afrohet sojit të diktatorëve. 

“Unë e shoh të papërgjegjshëm. Unë e kam mbështetur dhe nëse nuk do ta kundërshtoj unë që e kam votuar dhe mbështetur publikisht, kush do ta bëjë?“, u shpreh ai.

Preç Zogaj u ndal tek opozita.

“Nuk është opozita që kemi parë në këto 25 vite, ajo opozita karizmatike dhe unë nuk jam dakort me liderin karizmatik. Unë mbështes një lider normal“, u shpreh ai.

Henri Çili mbrojti idenë e tij se kësaj qeverie duhet dhënë edhe një mandat dhe për këtë shpjegoi pse.

“Duhet të bëjë disa gjëra të rëndësishme. Unë mendoj që ka një vullnet, kapacitet dhe një investim të përgjithshëm dhe Rama është një individ që ka aftësinë të çojë këto 3-4 gjëra përpara“, u shpreh ai.

Agron Gjekmarkaj tha se vendi e ka një opozitë, ndërsa Skënder Minxhozi tha se opozita duhet të fitojë zgjedhjet për të marrë pushtetin.

Top Channel