Papa Françesku: Respektoni homoseksualët dhe transeksualët

03/10/2016 00:00

Në një botë si kjo e jona të përçarë nga ekstremizmi i dhunshëm, Papa Françesku nuk mundet përveçse ta vlerësojë lart shembullin e bashkëjetesës fetare në disa vende ku bën pjesë edhe Azerbajxhani, ndalesa e tij e fundit.

Pikërisht këtu Ati i Shenjtë do të lëshonte dhe një deklaratë që gjeti shumë shpejt pasqyrim në mediat botërore. Homoseksualët dhe transeksualët, tha Papa Françesku, duhen trajtuar me respekt. Por të mësuarit e teorisë “gender” nëpër shkolla për Bergoglion është jo normale dhe e panatyrshme.

“Në jetën time si prift, si peshkop e si Papë, kam shoqëruar persona me tendenca e madje edhe praktika homoseksuale. I kam afruar me Zotin dhe nuk i kam braktisur kurrë. Njerëzit duhen shoqëruar, ashtu siç bënte Jezusi. Kur një person që ka këtë situate të dalë para Jezusit, ai sigurisht që nuk do t’i thotë: largohu sepse je homoseksual. Por unë jam kundër të keqes që bëhet sot me indoktrinimin e teorisë “gender”. Kanalizimin e kësaj linje nëpër shkolla me qëllimin të ndryshohet mentaliteti unë e quaj ‘kolonizim ideologjik’, tha Papa.

Françesku, që pushtoi titujt e parë të gazetave në 2013-n me shprehjen e tij të famshme mbi homoseksualët  “kush jam unë që të gjykoj të tjerët”, i bëri këto komente në përgjigje ndaj pyetjes së drejtuar lidhur me deklaratat e tij mbi kërcënimet që i kanosen martesës sot.

Teoria e gjinisë përmblidhet në konceptin se ndonëse biologjikisht mund të jenë meshkuj apo femra, njerëzit kanë të drejtën ta identifikojnë veten si njërën prej të dyjave, si të dyja bashkë apo edhe asnjërën.

Top Channel