Botërori me 40 skuadra, Gjermania del kundër

03/10/2016 00:00

Formula e re që pritet të aplikohet nga UEFA për fazën finale të Botërorit pritet të jetë një bonus i mirë për ekipe mesatare si Shqipëria që të arrijnë në finishe historike.

Kuqezinjtë kaluan në Euro 2016 mes më të mirëve dhe plani i cili po sponsorizohet nga presidenti Xhani Infantino, mund të na sjellë të tjera arritje. Por kundër zgjerimit të fazës finale të turneut ndërkombëtar ka dalë Gjermania.

Trajneri i “panzerave”, Joakim Lëv paralajmëroi rënien e vlerave sportive dhe kualitetit nëse diçka e tillë do të ndodhë për turneun në fjalë. Fushata e suksesshme e Infantinos premtonte një Botëror me 40 ekipe, dhe ky propozim do të diskutohet në samitin e Zyrihut këtë muaj.

“Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në terma afatgjatë do të vuajmë në pikëpamjen e cilësisë. Nuk duhet të mbingarkojmë turneun me kaq shumë ekipe, pasi nuk mendoj është ide e mirë të ulim vlerat sportive”, tha Joakim Lëv.

“Jogi” mendon të njëjtën gjë edhe për zgjerimin e Europianit nga 16 në 24 ekipe. “Mendoj se 24 kombëtare janë shumë për këtë turne pasi ndonjëherë ke ndjesinë sikur nuk i bën mirë futbollit. Cilësia cenohet edhe në këtë rast”, tha trajneri i Gjermanisë.

Top Channel