Trashëgimia Kulturore, Rama: Nuk jemi në listën e zezë!

03/10/2016 00:00

Korçës i është shtuar një tjetër muze, duke bërë që turistët të kenë edhe një tjetër hapësirë, duke rritur fuqinë e ekonomisë për vendasit. Në përurimin e muzeut të artit mesjetar, kryeministri Rama tha se për trashëgiminë kulturore është bërë sa asnjëherë më parë në 25 vjet.

“Dy qytete të Shqipërisë Gjirokastra dhe Berati kishin hyrë në listën e zezë të UNESCO-s dhe konsideroheshin si pasuri në zhdukje. Qeveria investoi para dhe dije dhe sot e vërteta është që Berati dhe Gjirokastra nuk janë më në listën e zezë të UNESCO-s”, tha ai.

Për shefin e qeverisë shqiptare, tashmë nuk ka më asnjë vendbanim tradicional, apo monument kulture, që të jetë në zhdukje.

“Asnjë monument, asnjë koleksion, asnjë vendbanim tradicional nuk rrezikon të zhduket dhe nuk është i kërcënuar që nga harresa të jetë pre e rrënimit”, theksoi kryeministri Rama.

Në muzeun mesjetar të Korçës janë gjithsej 400 ikona, nga të cilat 250 prezantohen për herë të para përpara publikut.

Top Channel