Rusia heq dorë nga pakti me SHBA për asgjësimin e plutoniumit

03/10/2016 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka pezulluar këtë të hënë një marrëveshje të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara për asgjësimin e plutoniumit të përdorshëm për armatime, për shkak të atyre që ai i ka cilësuar si “akte jomiqësore” nga Uashingtoni.

Lajmi është bërë i ditur nga Kremlini, një zëdhënës i të cilit tha se Putin ka nënshkruar një dekret për pezullimin e marrëveshjes së vitit 2010, sipas të cilës secila palë angazhohej për shkatërrimin e tonelatave të tëra të materialit të armatimeve, sepse Uashingtoni nuk është duke e implementuar atë dhe prej tensioneve aktuale në marrëdhëniet dypalëshe.

Dy kundërshtarët më të fuqishëm të periudhës së Luftës së Ftohtë kanë mosmarrëveshje për disa çështje, përfshi këtu Ukrainën, prej së cilës Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe ku mbështet separatistët prorusë në Lindje të saj, por edhe konfliktin në Siri.

Marrëveshja, e firmosur në vitin 2000 dhe që hyri në fuqi në vitin 2010, është pezulluar për shkak të “emergjencës së një kërcënimi ndaj stabilitetit strategjik dhe si pasojë e veprimeve jomiqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Federatës Ruse”, shkruhet në preambulën e dekretit.

Në të thuhet gjithashtu se Uashingtoni ka dështuar “të sigurojë implementimin e detyrimeve të tij për përdorimin e suficitit të plutoniumit”.

Marrëveshja e 2010-s, e firmosur nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ish-Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Hillary Clinton, bënte thirrje ndaj palëve për të asgjësonin 34 tonë plutoniumi duke e djegur atë në reaktorët bërthamorë.

Clinton tha atëherë se, kjo sasi ishte e mjaftueshme sa për të krijuar rreth 17 mijë armë bërthamore. Të dyja palët e konsideruan paktin si një shenjë e bashkëpunimit në rritje mes dy ish-kundërshtarëve, me synimin për të arritur objektivin e përbashkët të mospërhapjes së armëve bërthamore.

“Prej një kohe të gjatë tashmë, Rusia po implementon marrëveshjen në mënyrë të njëanshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një telekonference me gazetarët të ditës së sotme. “Tashmë, duke llogaritur tensionet e përgjithshme në marrëdhëniet tona, Rusia e konsideron atë të pamundur të zgjasë më tej në këto rrethana”.

Top Channel