Meta pret Thaçin, vlerësime për bashkëpunimin vëllazëror mes dy vendeve

03/10/2016 00:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në vizitën e tij të parë si kreu i shtetit kosovar në Shqipëri, pas ndalesave në Presidencë e Kryeministri, ku takoi Nishanin e Ramën, është ndalur edhe në Kryesinë e Kuvendit, ku është pritur nga kryetarparlamentari Ilir Meta, nën shoqërinë e dy ministrave të kabinetit të tij, Memli Krasniqi e Lutfi Zharku.

Në takim, ku ishin pjesëmarrës edhe deputetët Taulant Balla, Edi Paloka dhe Petrit Vasili, janë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve.

Meta ka theksuar intensifikimin e ndjeshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë e Kosovës, duke konfirmuar se diplomacia shqiptare do të mbetet në shërbim të shtimit të njohjeve dhe afirmimit të mëtejshëm të shtetit kosovar.

Gjatë takimit është vlerësuar edhe bashkëpunimi mes dy qeverive respektive, ndërsa u konfirmua mbështetja e Shqipërisë në forcimin e perspektivës euroatlantike dhe atë të sundimit të ligjit në Kosovë, në interes të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit.

Thaçi ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e pandalur e të pakufizuar të Shqipërisë, e veçmas vlerësoi kontributin e Kuvendit shqiptar në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes dy vendeve tona, por edhe në forumet ndërkombëtare ku Shqipëria është e pranishme.

Në përfundim, kryeparlamentari Meta dhe Presidenti Thaçi diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova mbështesin heqjen e barrierave dhe forcimin e lidhjes rajonale në interes të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan.

Top Channel