Ligjet e reformës, mblidhet grupi i PS, Xhafaj: I votojmë të enjten

03/10/2016 14:30

Përpara se të votojnë të enjten 6 ligjet e paketës bazë për reformën në drejtësi, deputetët socialistë kanë marrë sqarimet e fundit nga kryetari i Komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj, i cili po drejton procesin prej më shumë se dy vjetësh.

Deputetët ishin të interesuar kryesisht për detaje nga procesi i “vetting”-ut dhe për afatet e ngritjes së institucioneve të reja gjatë vitit të ardhshëm.

“I japin mundësitë ligjore dhe institucionale për nisjen e procesit për ngritjen e institucionet të reja dhe njëkohësisht për fillimin e të gjithë institucionit të reformës në sistemin e drejtësisë. Me miratimin e këtyre ligjeve ditën e enjte, mund të fillojë normalisht procesi për ngritjen e institucioneve të reja dhe funksionimin normal më pas të këtyre institucioneve për funksionimin e vet sistemit”, u shpreh Xhafaj.

Nga 6 ligjet që do të miratohen të enjten, vetëm ligji për Prokurorinë  e Posaçme, Gjykatat Speciale dhe Byronë e Hetimit, i njohur si ligji i SPAK-ut, do të kalojnë me konsensus me opozitën. Por mazhoranca i ka e vetme votat.

“Kanë qenë të gjitha pyetje legjitime me shqetësimin se si do ta shohin sa më shpejt të zbatuar reformën në sistemin e drejtësisë. Nëse kjo reformë ka ecur përpara, padyshim, një nga faktorët themelor të saj ka qenë mbështetje e këtij grupi parlamentar”, shprehet Xhafaj.

Pas mbylljes së paketës së emergjencës, Komisioni i posaçëm do të punojë me pjesën tjetër të ligjeve. Ata janë mbi 30, por jo kaq delikatë sa 7 ligjet e para, kyçe për zbatimin e reformës në drejtësi.

Top Channel