F1, dyshimeve për sabotazh të Hamiltonit u përgjigjet Lauda

03/10/2016 00:00

Lewis Hamilton ishte i humburi i madh në Çmimin e Madh të Malajzisë, në Formula 1. Piloti britanik i Mercedesit nuk e mbylli garën, për shkak të një problemi në motorin e makinës së tij, gjë që shkaktoi një zemërim të madh te 30-vjeçari, i cili arriti deri aty sa të lëshojë akuza për sabotazh te skuderia gjermane.

“Dikush nuk dëshiron që unë të fitoj këtë vit”, ishte deklarata e fortë e Hamiltonit, i cili gjeti përgjigjen e menjëhershme nga Niki Lauda, i cili e konsideroi si të papranueshëm këtë shpërthim të britanikut.

“E njoh shumë mirë Lewisin dhe ai nuk dëshiron të akuzojë skuadrën. Nuk mund ta pranoj këtë interpretim. Hamilton e di shumë mirë, që ne bëjmë gjithçka mundemi për t’i vënë në dispozicion makinën dhe motorin më të mirë. Më vjen vërtet keq për të, i kërkova ndjesë për problemin në motor”, tha legjenda e Formulës 1.

Niki Lauda shtoi se, në makinën e Hamiltonit ishte montuar një motor i ri dhe ende nuk dihen shkaqet e problemit që u shfaqën, kështu që – sipas tij, – nuk mund të flitet për sabotazh.

Top Channel