Veliaj: 4 zgjidhje konkrete për të pastrehët, vitin tjetër 1500 kredi të buta

03/10/2016 00:00

Në konferencën ndërkombëtare të strehimit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dha opsionet mbi të cilat bashkia po punon për t’u garantuar strehim familjeve në nevojë.

“Për shembull, t’i japim tokën pa kosto dhe kompania e ndërtimit ta ndërtojë me kosto të ulët”, tha Veliaj.

Për të shmangur atë që e quajti getoizim, pra identifikimin e një zone të caktuar me banesat sociale, kreu i bashkisë kërkoi bashkëpunimin e subjekteve private: “Propozimi ynë është t’u japim bonus kompanive dhe ata të venë në dispozicion të bashkisë disa apartamente për banesa sociale”.

Banesat sociale kanë qenë shpesh objekt konflikti politik, duke privuar me qindra familje të varfra nga e drejta për strehim, ndërkohë që paradoksalisht në listat e përfitimit nga kreditë e buta janë gjendur emra anëtarësh qeverie apo të këshillave bashkiakë. Ambasadorja e Holandës thotë se këtyre fenomeneve duhet t’i jepet fund.

“Politika duhet të adresojë korrupsionin dhe qeverisjen e dobët që është ende problem. Shqipëria po avancon drejt integrimit europian, ndaj standardet europiane janë “çelësi”. Duhet dialog politik në vend të përplasjes dhe gatishmëri për kompromis”, Dewi van de Weerd.

Top Channel