Premier League, Guardiola përgëzon Tottenhamin. Pranon “leksionin” e Pochettinos

03/10/2016 00:00

Mauricio Pochettino tregoi edhe njëherë se, di si t’i fitojë përballjet me Pep Guardiolën. Këtë herë, suksesi i radhës së tij ndaj katalanasit u shënua në Premier Leaguen angleze, ku Tottenham mundi në “White Hart Lane”, Manchester Cityn me rezultatin 2-0, me “Citizens” që shënuan disfatën e parë të tyre në këtë sezon.

Autogoli i Kolarov dhe goli i Dele Alli ishin ato që fundosën Manchester Cityn fundjavën që lamë pas. Trajneri Pep Guardiola e pranoi disfatën, duke mos i kursyer fjalët më të mira ndaj skuadrës së Tottenhamit.

“Tottenham ishte skuadra më e mirë në fushë. Ne humbëm shumë topa në një zonë të rrezikshme, me kundërshtarët që ishin një hap para nesh. Kështu që i uroj fitoren Tottenhamit. Kur kundërshtari luan më mirë, duhet ta pranosh këtë fakt dhe të marrësh mësimet e duhura”, ka thënë Guardiola.

Ndërsa Mauricio Pochettino nuk e ka fshehur aspak kënaqësinë për lojën e zhvilluar nga futbollistët e tij.

“Jam shumë i lumtur. Loja e skuadrës sime ishte pothuajse perfekte. Të luash përballë një skuadre të madhe si Manchester City, duhet të bësh një punë fantastike. Jam krenar për paraqitjen që bënë futbollistët e mi në fushën e lojës”, është shprehur Mauricio Pochettino.

Manchester City, edhe pas kësaj disfate vazhdon të jetë në krye të renditjes në Premier League, me 18 pikë, i ndjekur pikërisht nga Tottenham në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak.

Top Channel