Aston Villa shkarkon italianin Di Matteo

03/10/2016 00:00

Roberto Di Matteo nuk është më trajner i Aston Villës. Tekniku italian u shkarkua nga detyra pas 124 ditësh në pankinën e kësaj skuadre, për shkak të mungesës së rezultateve në kategorinë e dytë angleze, “Championship”.

Roberto Di Matteo, i cili ka drejtuar më parë edhe Schalke 04 e Chelsea, duke fituar edhe Championsin me “blutë” e Londrës në 2012, erdhi te Aston Villa me objektivin për ta kthyer atë në Premier League.

Por pas 11 ndeshjeve të para, Aston Villa ka shënuar vetëm një fitore dhe e sheh veten në vendin e 19 të renditjes.

“Aston Villa vendosi të shkarkojë trajnerin Roberto Di Matteo. Ky vendim u mor për shkak të rezultateve të dobëta, që e kanë lënë skuadrën në vendin e 19. Duam të falënderojmë Roberton për përpjekjet e tij për të ndihmuar në ringritjen e skuadrës dhe i urojmë më të mirën për të ardhmen”, theksohet në komunikatën e klubit anglez.

Në të njëjtën kohë, Aston Villa bëri të ditur se drejtimin e skuadrës do ta marrë Steve Clarke, deri në momentin që klubi të gjejë një trajner të ri.

Top Channel