Yoshinori Ohsumi fiton Nobelin e Mjekësisë

03/10/2016 00:00

Çmimi Nobel i Mjekësisë për vitin 2016 i shkon japonezit Yoshinori Ohsumi, për zbulimet e tij në lidhje me mekanizmin e autofagisë, procesi i asimilimit dhe riciklimit nga trupi i përbërësve qelizorë.

Puna e japonezit Ohsumi rezulton të jetë e rëndësishme, pasi ndihmon në shpjegimin se çfarë shkon keq në trupin e njeriut të prekur nga një sërë sëmundjesh, nga kanceri e deri te Parkinsoni.

Fituesi i Nobelit të Mjekësisë është bërë i ditur vetëm pak përpara mesditës së kësaj të hëne nga asamblesja e Institutit suedez Karolinska me seli në Stockholm.

Vitin e kaluar, fitues të këtij çmimi prestigjioz u shpallën 3 shkencëtarë, të cilët punuan për luftën e mjekëve ndaj sëmundjes së malaries dhe infeksioneve të shkaktuara nga parazitët të ndodhur në zorrët e gjitarëve.

Por çfarë është mekanizmi i autofagisë? Ja shpjegimi nga fondacioni Nobel.

“Ne dimë se autofagia kontrollon funksionet e rëndësishme fiziologjike, ku përbërësit qelizorë duhen degraduar dhe ricikluar. Autofagia mund të ofrojë energji me shpejtësi dhe të ndërtojë blloqe për rinovimin e përbërësve të qelizave, ndaj dhe është thelbësore për përgjigjen e tyre ndaj urisë dhe llojeve të tjera të stresit. Pas infektimit, autofagia mund të eliminojë bakteret e dëmshme dhe viruset ndërqelizore. Autofagia kontribuon në zhvillimin e embrioneve dhe diferencimin e qelizave. Këto të fundit e përdorin autofaginë edhe për të eliminuar proteinat e dëmtuara dhe strukturat e tjera, një mekanizëm kontrolli cilësie që është kritik për reagimin ndaj pasojave negative të plakjes. Ndërprerja e autofagisë është e lidhur me sëmundjet e Parkinsonit, diabetin e tipit 2 dhe çrregullime të tjera që shfaqen në moshën e avancuar. Mutacionet në gjenet autofagike mund të shkaktojnë edhe sëmundje gjenetike. Problemet e hasura në makinerinë e autofagisë lidhen edhe me kancerin. Kërkimet e thelluara janë duke vijuar për të zhvilluar kurat që mund të prekin autofaginë në sëmundje të caktuara”.

Top Channel