Vizitoni Lisbonën? Mund të qëndroni në hotelin e Ronaldos

03/10/2016 00:00

Cristiano Ronaldo përuron hotelin e tij të dytë, pjesë e zinxhirit të hoteleve që portugezi ka krijuar në bashkëpunim me kompaninë “Pestana”.

Ylli i Realit të Madridit ishte në Lisbonë pasditen e së shtunës, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së “CR7 Pestana Hotel” me 82 dhoma.

Sulmuesi 31-vjeçar deklaroi se atij i duhet të mendojë për të ardhmen e tij, pasi të ketë mbyllur karrierën e tij si futbollist, ndaj dhe krijimi i këtij zinxhiri hotelesh ka qenë gjithnjë në planet e tij.

“Ky është një moment unik në jetën time dhe një çast gëzimi, pasi jeta nuk është vetëm futboll”, tha Ronaldo në fjalën e mbajtur në këtë ngjarje.

“Sigurisht futbolli është pasioni im më i madh, por më duhet të mendoj edhe për të ardhmen. Nuk më kanë mbetur edhe shumë vite karrierë dhe më duhet të mendoj se çfarë do të bëj pas kësaj. Ky biznes është ajo çfarë kam ëndërruar gjithmonë”, shtoi portugezi.

Hotelin e parë, Ronaldo e përuroi në korrik në qytetin e tij të lindjes, Funchal, në ishullin e Madeirës. Dy hotelet e tjerë që do të përurohen janë në Madrid dhe Nju Jork.

Investimi i Ronaldos dhe “Pestana Group” për këto 4 hotele kap shifrën e75 milionë eurove. Megjithatë, luzitani nuk është kufizuar vetëm në biznesin e hoteleve. Fituesi i tre “Topave të Artë” ka krijuar edhe një kompani prodhimi të linjës së tij të veshjeve dhe këpucëve.

Top Channel