Kolumbi, qytetarët i thonë “Jo” marrëveshjes me FARC përmes referendumit

03/10/2016 00:00

Votuesit kolumbianë refuzuan marrëveshjen historike të paqes me rebelët e FARC-ut në referendumin që përfundoi me rezultate shokuese. 50.24 për qind e popullsisë u shpreh kundër saj.

Marrëveshja u firmos javën e kaluar nga presidenti Juan Manuel Santos dhe udhëheqësi i FARC-ut, Timoleon Jimenez, pas gati 4 vitesh negociata. Por që të hynte në fuqi, ajo duhej të ratifikohej nga kolumbianët.

Në një fjalim për kombin, presidenti Santos tha se e pranonte rezultatin, por u zotua të vazhdojë përpjekjet për vendosjen e paqes. Ai sqaroi se armëpushimi aktual vazhdon të jetë i vlefshëm dhe urdhëroi negociatorët të udhëtojnë në Kuba, për t’u konsultuar me përfaqësuesit e FARC-ut për hapat e ardhshëm.

“Nuk do të heq dorë. Do të vazhdoj të përpiqem për paqen deri në momentin e fundit të mandatit tim, pasi kjo është mënyra për t’u lënë fëmijëve tanë një vend më të mirë”, tha ai.

Në të njëjtën linjë qëndrimi ishte edhe udhëheqësi i FARC-ut, i njohur si Timoshenko, i cili tha se grupi mbetej i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës. Gjithsesi kritikat për ata që bënë fushatë për “Jo”-në nuk i kurseu.

“FARC ndien keqardhje të thellë për faktin se fuqia shkatërruese e atyre që predikojnë për dhunën dhe hakmarrjen influencuoi në opinionin e popullit kolumbian”, tha Timoshenko.

Më herët, rebelët ranë dakord të ulnin armët e t’i bashkoheshin procesit politik, pas një konflitki 52-vjeçar. Por kritikët mendojnë se marrëveshja e trajton shumë butë FARC-un, që konsiderohet si një grup terrorist nga SHBA-të.

Ujdia do të lejonte rebelët të shmangnin dënimin me burg, nëse do të pranonin krimet e tyre. Rebelëve u ishin premtuar gjithashtu 10 vende në Kongres për dy zgjedhjet e ardhshme. Rezultati i papritur i votimit nënkupton se procesi i paqes është zhytur tashmë në ujëra të pasigurta.

Konflikti i gjatë me grupin rebel i ka kushtuar jetën 260 mijë personave dhe presidenti Santos ka thënë në të kaluarën se nuk kishte një “plan B” për t’i dhënë fund luftës.

Top Channel