Pogradec, procedim penal pediatrit pas vdekjes së foshnjës 2-ditëshe

03/10/2016 09:35

Një foshnje e porsalindur ka humbur jetën në qytetin e Pogradecit për shkaqe ende të paqarta, ndërsa familjarët kanë denoncuar pediatrin Nexhmi Elezi për mjekim të pakujdesshëm.

Foshnja i seksit mashkull, ka ndërruar jetë 4 ditë pas lindjes ndërsa prindërit e tij Agron dhe Suela Hyka nga fshati Buzaishte i janë drejtuar policisë për të denoncuar mjekun pediatër.

Mësohet se foshnja ka pasur komplikacione dhe mjekët e maternitetit të Pogradecit e kanë nisur atë drejt Tiranës, por i porsalinduri nuk ka mundur të mbijetojë.

Gjatë një interviste për Top Channel, shefi i pavjonit, Ilir Gusho tha se foshnjës i ishte shfaqur një infeksion lëkure 48 orë pas lindjes dhe situata e tij është mbajtur nën trajtim nga mjekët. Menjëherë pas rëndimit të gjendjes shëndetësorë stafi i mjekëve ka vendosur ta transportojë fëmijën drejt Tiranës.

Nga ana e saj policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për mjekun pediatër, pas denoncimit nga ana e babait të foshnjës. Prindërit pretendojnë se vdekja e foshnjes ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga ana e mjekut.

Top Channel