Nishani pret homologun kosovar, Hashim Thaçi

03/10/2016 09:10

Presidenti i Republikës ka pritur sot në një takim zyrtar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në orën 09:00 u zhvillua ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në Presidencë e më pas të dy presidentët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Është vizita e parë e zotit Thaçi në Shqipëri si President i Kosovës. Ndihem i respektuar dhe i nderuar që e mirëpres zotin Thaçi në këtë vizitë, pasi ka luajtur një rol domethënës për konkretizimin e takimeve mes qeverive tona, takime që kanë ndihmuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Shqipëria do të vijojë të mbështesë anëtarësimin e plotë të Kosovës në proceset eurointegruese dhe në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Nishani.

Ndërsa Hashim Thaçi u shpreh: “Falenderojmë Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në këto vite. Bashkëpunimi ynë është model për rajonin, ndërsa marrëdhëniet ekonomike kanë pasur rritje”.

Pas takimit me Nishanin, Thaçi do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse me vonë ai do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas takimeve me krerët e shtetit, presidenti Thaçi do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritero Agolli.

Po ashtu presidenti Thaçi do të takohet edhe me liderin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Top Channel