Akuzat për taksat, bashkëpartiakët e mbrojnë Trumpin: Është gjeni!

02/10/2016 00:00

Kandidati për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, u akuzua se ka shmangur pagimin e taksave për 18 vite rresht dhe për këtë gjë, ish-rivali në garën brenda partisë dhe guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, e quajti këtë si “një histori shumë të bukur” duke e cilësuar Trumpin si “gjeni”.

Në të njëjtin mendim ishte edhe Rudy Giuliani, ish-kryetari i Nju Jorkut, tani këshilltar i Donald Trump. “Nëse Trump ka arritur të shmang taksat për 18 vite, atëherë kjo është diçka gjeniale”, tha ai.

“New York Times” shkroi se zotëron dokumentet që tregojnë se manjati i pasurive të paluajtshme, Donald Trump, ka deklaruar një humbje prej më shumë se 900 milionë dollarësh gjatë vitit 1995.

Kjo e përditshme shton gjithashtu se humbja ka qenë kaq shumë e madhe, saqë mund t’i ketë mundësuar kandidatit të tanishëm republikan për zgjedhjet presidenciale të shmangte pagimin e taksave për 18 vite rresht.

Drejtues të fushatës së tij kanë refuzuar të publikojnë deklaratat e vitit të fundit të taksave të paguara prej Trumpit, madje as nuk e kanë konfirmuar apo mohuar këtë shkallë kaq të lartë humbjesh.

Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë është kapur me forcë ndaj mosdeklarimit të tij të taksave. Gjatë debatit të parë therës presidencial të së hënës së kaluar, ajo e detyroi atë të mbrohej për mosdeklarimin e taksave, duke sugjeruar se ai ishte duke fshehur “diçka të tmerrshme”.

Top Channel