Roma mund Interin dhe “fluturon” në vendin e tretë

02/10/2016 00:00

Përballjen më të rëndësishme të javës së 7 të Serisë A mes Romës dhe Interit e kanë fituar kryeqytetasit me rezultatin 2-1. Zikaltrit nuk po gjejnë paqe dhe kanë regjistruar një tjetër humbje.

Edin Dzeko që në minutën e 5 zhbllokon. Bruno Peres futet në zonë dhe pason bukur për sulmuesin boshnjak që i harruar nga mbrojtja nuk e kishte të vështirë të shënonte për 1-0.

Interi kundërpërgjigjet me Banegën, por gjuajtja nga 25 metra e mesfushorit gjen shtyllën. Edhe Salah kishte të njëjtin fat pak minuta më vonë, kur dështoi të dyfishonte epërsinë.

Deri në fund të pjesës së parë, skuadrat kishin edhe nga dy raste shumë të mira shënimi, por në pushimin mes pjesëve Roma shkoi me epërsinë prej një golit.

Kryeqytetasit e fillojnë furishëm edhe pjesën e dytë, që rrezikojnë me Salah, por ishte radha e Interit për të shënuar. Icardi shërben bukur për Banegën i falë një lëvizjeje të bukur në zonë, arrin të mposht edhe portierin e të barazojë shifrat në 1-1.

Por, gëzimi i interistëve nuk zgjati shumë, pasi Roma kalon sërish ne epërsi katër minuta më pas. Gjatë një goditje dënimit, Florenzi kroson në zonë dhe Manolas mposht portierin Handanovic.

Deri në fund, Dzeko lëshoi një mundësi të mirë shënimi, por asgjë nuk ndryshoi, duke bërë që Roma të arkëtojë tre pikë të reja në një ndeshje ndaj një rivali për Europën.

Top Channel