Mbyllet vizita në Kanada, princi Xhorxh vjedh vëmendjen

02/10/2016 00:00

Me buzëqeshje dhe duke përshëndetur me duar Duka dhe Dukesha e Kembrixhit u larguan nga Kanadaja pas një vizite 8 ditore, ku fëmijët e tyre, princi Xhorxh dhe princesha Sharlot vodhën të gjithë vëmendjen.

E veçanta e këtij udhëtimi qëndron në faktin se ai mund të jetë i fundit që dy vogëlushët shoqërojnë prindërit e tyre.

Siç mësohet nga burime të afërta pranë familjes mbretërore, Kate dhe William janë të vendosur që për disa vite të mos i marrin me vete princin e princeshën, në mënyrë që t’u mundësojnë atyre një fëmijëri normale.

Duke i shtrënguar dorën babait të tij, Xhorxhi 3-vjeçar i veshur me pantallona të shkurtra të kuqe e çorape të gjata nuk reshte së buzëqeshuri për mijëra njerëzit që kishin dalë të përcillnin familjen mbretërore britanike në aeroportin Victoria Harbor.

Ndërsa Sharlota 16-muajshe, e veshur me një fustan të bukur me motive mbahej nga nëna Kate. Edhe pse ende shumë e vogël, princesha dukej e mësuar me rregullat dhe përshëndeti me dorë fotografët.

Gjatë qëndrimit 8 ditor në Kanada Duka dhe Dukesha e Kembrixhit zhvilluan një tur intensiv që i çoi ata nga arqipelagu i mrekullueshëm i Hadai Gwaii deri në qytetin e Whitehorse në Jukon që sipas Guinnes World Record është më pak i ndoturi në të gjithë botën.

Top Channel