Spahiu: Kryeministri të vijë nga LSI-ja

02/10/2016 00:00

Përparim Spahiu është kthyer në Dibër, qyteti i cili i besoi për ta zgjedhur deputet, por këtë herë për të kërkuar një tjetër besim, atë për të drejtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, në garën kundër Ilir Metës dhe Shezai Rrokajt.

Në takimin me strukturat e LSI-së, Spahiu edhe njëherë ka kritikuar bashkëqeverisjen, jo vetëm me Partinë Socialiste, por edhe me Partinë Demorkatike, duke deklaruar se LSI-ja nuk duhet të vazhdojë të prodhojë kryeministra që nuk janë me teserën e saj, pasi, sipas tij, në shumë raste, aleatët ia kanë lënë LSI-së faturat e dështimeve. 

“Do të kërkoj që të hapet një diskutim në brendësi të partisë sonë, mbi bilancin e qeverisjes 3-vjeçare me Partinë Socialiste. Ku të peshohen anët pozitive, por edhe anët negative të kësaj bashkëqeverisjeje. Sepse unë mendoj që LSI-ja e ka mbërritur tashmë pjekurinë e vet politike, për të fituar një pozicion të ri në politikën shqiptare. Një rol të mirëfilltë udhëheqës në nivel kombëtar”, ka deklaruar Spahiu.

Ai ka shkuar dhe më tej, duke u shprehur se në shumë vendime që merren në këtë bashkëqeverisje, LSI-ja vendoset përpara faktit të kryer. “Merret pra kështu një vendim i rëndësishëm qeverisës dhe më pas na njoftojnë. Duke e bërë Lëvizjen Socialiste për Integrim pjesë të kostove dhe përgjegjësive në mjaft raste dhe jo pjesë të vendimmarrjes”, mbylli fjalën tij kandidati për kreun e LSI-së.

Top Channel