Italia, pa surpriza për ndeshjet e radhës. Lihet jashtë Balotelli

02/10/2016 00:00

Forma e mirë e Mario Balotellit nuk e ka bindur trajnerin e kombëtares italiane të futbollit, që t’i besojë një vend sulmuesit të Nisës në ndeshjet e radhës për kualifikueset e Botërorit 2018.

Në listën e publikuar nga Federata italiane e Futbollit mungojnë surprizat për “të kaltërtit”, teksa mungon gjithashtu emri i bomberit me ngjyrë që po kontribuon shumë në nisjen fantastike të ekipit nga Riviera franceze këtë sezon.

Trajneri Ventura kishte lënë të kuptohej se “SuperMario” do të grumbullohej, por nuk ka ndodhur kështu. Ndërkohë, është rikthyer në kombëtaren italiane mbrojtësi i Zenitit të Shën Pjetërburgut, Criscito, që në epokën e Antonio Contes ishte konsideruar shumë pak, ndërsa bie në sy se ka shumë futbollistë të Milanit.

Donnarumma në portë, por edhe Romagnoli, Bonaventura, De Sciglio e Montolivo përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në kombëtaren italiane, kundrejt 4 lojtarëve të Juventusit. Sfida e parë e Italisë këtë muaj do të luhet në Torino, më 6 tetor ndaj Spanjës, e më pas “të kaltërit” do të udhëtojnë në Shkup për të luajtur me Maqedoninë, 3 ditë më vonë.

Top Channel