Kapen 2 skafistë italianë, transportonin 533 kg hashash

02/10/2016 00:00

Një tjetër operacion antitrafik i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza është zhvilluar pasditen e së shtunës, ku është sekuestruar një skaf me 533.5 kilogramë kanabis sativa, me dy shtetas italianë në bord.

Rreth orës12.50, Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare në Durrës, ka njoftuar për një mjet që lëvizte me shpejtësi nga perëndimi në drejtim të kepit të Rodonit. Menjëherë u vunë në lëvizje mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të Guardia di Finanza dhe u njoftua INTERFORCA. Ndjekja nga Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza vazhdoi deri në ujërat ndërkombëtare. Në këtë kohë, mjetet aeronautike dhe detare italiane të GdF hynë në veprim dhe rreth orës 19.00, në momentin e hyrjes në ujërat italiane, u identifikua dhe ndalua mjeti i lundrimit me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë.

Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë: A.M., 38 vjeç dhe A.C., 60 vjeç, të dy nga Brindisi. Guardia di Finanza ndaloi dy skafistët dhe sekuestroi ngarkesën me kanabis.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel