“Mbetjet”, Rama: Nuk tradhtuam. Në 4 vite Shqipëria do pastrohet nga plehrat

01/10/2016 00:00

Replikat në distancë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, njëri në Tiranë dhe tjetri në Lezhë, u fokusuan tek besueshmëria e tyre politike në raport me lejimin e importit të mbetjeve.

Replikat në distancë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, njëri në Tiranë dhe tjetri në Lezhë, u fokusuan tek besueshmëria e tyre politike në raport me lejimin e importit të mbetjeve.

“Kurrë, unë qeveria jonë dhe partia jonë nuk do t’i tradhtonte qytetarët duke bërë një ligj ku të krijohej qoftë dhe shtegu më i vogël për të ndotur Shqipërinë. Kurrë kjo parti nuk e tradhton interesin kombëtar. Në këtë rast do të ishte tradhti ndaj interesit kombëtar nëse ne do të ktheheshim te ligji që anuluam”, tha Rama.

“Edi Rama e ka bërë zgjedhjen e tij, ai ka zgjedhur mafien ndërkombëtare të plehrave dhe për këtë ka tradhtuar edhe ata qytetarë që i përdori për të ardhur në pushtet para tre vitesh. Edhe ne kemi bërë zgjedhjen tonë, së pari duke kërkuar ndjesë për çdo aspekt të gabuar në lidhje me këtë çështje dhe së dyti duke u rreshtuar pa asnjë ekuivok për zërin qytetar, për interesin publik”, tha Basha.

Lulzim Basha thotë se ky është modeli që ai u ofron qytetarëve, nëse ata i besojnë qeverisjen e vendit.

“Vendimet tona në qeveri nuk do të jenë vendime të prirura duke dëgjuar vetëm një palë, duke vendosur në dhomat e pushtetit, por duke pyetur dhe duke vendosur bashkë me qytetarët . Ky është fillimi i një modeli të ri politik dhe shoqëror që e presin shqiptarët. Në fakt është edhe fija e fundit e shpresës për të mbyllur hendekun midis politikës dhe popullit”, u shpreh kreu i PD.

Por sipas kryeministrit Rama ka një përpjekje për të manipuluar qytetarët, sepse, sipas tij ligji i shërben edhe qëllimit të protestuesve për ta bërë Shqipërinë më të pastër.

“Këta në qoftë se nuk importojnë mbyllin fabrikat. Kjo do të ishte vetvrasje për ne pasi faktikisht 120 mijë tonë mbetje të riciklueshme do të mbeteshin rrugëve, do të mbingarkonin pikat tona të grumbullimit. Kjo që bëjmë ne është për ta bërë Shqipërinë më të pastër”, shprehet Rama.

Kryeministri thotë se puna me kapacitet të plotë e industrisë së riciklimit do t’i sjellë ekonomisë 150 milionë euro më shumë të ardhura dhe 1 mijë vende të reja pune.

Top Channel