Salihi nuk fal as Vllazninë, Skënderbeu merr fitoren e radhës

01/10/2016 00:00

Skënderbeu ka marrë fitoren e pestë në po kaq javë kampionat në Kategorinë Superiore këtë të shtunë, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin e pastër 3-0, ku njeriu i ndeshjes ishte shkodrani Hamdi Salihi.

Sipas kalendarit, ky takim duhej të luhej në “Loro Boriçi”, por për shkak se në këtë stadium do të luajë Kosova e më pas Shqipëria ndaj Spanjës,drejtuesit e ekipeve ranë dakord të ndryshohej kalendari.

Skënderbeu e gjeti golin që në minutën e 8 të ndeshjes, kur James ktheu në gol një 11-metërsh, ndërsa i përhershmi Salihi dyfishoi shifrat në minutën e 37.

Në pjesën e dytë, korçarët u munduan më shumë të menaxhonin rezultatin e arritur në pjesën e parë, ndërsa Vallaznia nuk kishte forca për të ndëshkuar kampionët e vendit.

Tetë minuta para fundit, sërish Hamdi Salihi shënon edhe golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin personal, duke vulosur rezultatin.

Pas 5 javëve të para, Skënderbeu udhëheq i vetëm me 15 pikë, me një diferencë prej 6 pikësh nga Kukësi i vendit të dytë.

Top Channel