Raketat në Kore, Kina: SHBA e Seuli do ta paguajnë

01/10/2016 00:00

SHBA dhe Koreja e Jugut do të paguajnë çmimin për dislokimin e një sistemi mbrojtës raketash që më mënyrë të pashmangshme do të sjellë një kundërsulm.

Kështu shkruhet në gazetën kryesore kineze e përditshmja e popullit, e cila është organi kryesor i shtypit i partisë qeverisëse komuniste.

Tensioni ka qenë i lartë në gadishullin korean këtë vit pas testeve bërthamore të Koresë së Veriut. Si reagim, Koreja e Jugut ra dakord me SHBA për të vendosur një sistem mbrojtës raketor. Por ky plan ka zemëruar kinën, e cila është e shqetësuar se sistemi “Thaad” do të kompromejtojë sigurinë e saj dhe nuk do të bëjë asgjë për të ulur tensionet në gadishullin korean. Në një koment në gazetën kineze shkruhet se Kina do të vazhdojë të kundërshtoje sistemin e raketave që kërcënon seriozisht ekuilibrin e sigurisë në rajon.

“Si çdo vend tjetër, Kina nuk mund të injorojë çështjet e sigurisë që prekin interesat e saj thelbësore. SHBA dhe Koreja e Jugut duhet të kuptojnë se gadishulli korean s’është vendi i duhur për të ndërmarrë veprime të rrezikshme. Nëse SHBA dhe Koreja e Jugut dëmtojnë interesat strategjike të sigurisë në rajon, përfshirë ato të kinës, do të paguajnë çmimin për këtë dhe do të pësojnë një kundërsulm të merituar”, shkruhet në gazetën e përditshmja e popullit, por pa dhënë detaje.

Edhe më herët, Kina ka premtuar se do të ndërmarrë hapa specifike kundër sistemit të raketave, por nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. SHBA dhe Koreja e Jugut pretendojnë se sistemit “Thaad” nuk kërcënon sigurinë e Kinës apo ndonjë vendi tjetër, me përjashtim të Koresë së Veriut.

Top Channel